Secondary Adv

Banka e Shqiperise: 60 per qind e pronave te shitura jane blere me kredi

Rreth 60% e totalit të pronave për banim dhe e atyre për përdorim tregtar të shitura prej agjentëve në 6-mujorin e dytë të vitit 2023, janë blerë me hua bankare.

 

Nga këto, në 60 % të rasteve, kredia ka mbuluar deri në 60% të vlerës. Banka e Shqipërisë publikoi të enjten "Vrojtimin mbi Stabilitetin Financiar për Pasuritë e Paluajtshme", sipas të cilit, numri total i pronave të shitura ishte 1169 dhe ky numër ishte pothuajse i njëjtë me atë të gjashtëmujorit të parë të vitit.

 

Numri mesatar i pronave të shitura për subjekt mbeti i pandryshuar, në 7. Sipas të dhënave, koha mesatare e shitjes së banesave në shkallë vendi është rritur lehtë në mesatarisht 10.9 muaj.

 

Në rastin e Tiranës, koha mesatare e shitjes ka rënë ndjeshëm në 8.3, nga 10.5 muaj. Koha mesatare për shitjet në zonat bregdetare u rrit lehtë në 10.9 muaj, ndërsa për zonat e tjera, kohëzgjatja e shitjes ishte dukshëm më e lartë sesa në gjashtëmujorin e kaluar, duke shënuar 13.6 muaj nga 10.9 muaj.

 

Referuar vrojtimit, agjentët raportojnë rritje të kërkesës për qiramarrje, si për banesa, ashtu edhe për prona tregtare, dhe çmimet e qirasë kanë shënuar rritje.

 

Aktiviteti i dhënies dhe marrjes së pronave me qira është i përqendruar në rajonin e kryeqytetit dhe veçanërisht në zonën e qendrës. Për gjashtëmujorin e ardhshëm, agjentët presin rritje të çmimeve dhe rritje të numrit të pronave të regjistruara për shitje.

 

Agjentët janë optimistë për ecurinë e tregut të pasurive të paluajtshme në territorin ku ata veprojnë, për të ardhmen afatshkurtër dhe afatgjatë (deri në dy vjet).

 

Po ashtu, ata shprehen optimistë për të ardhmen e këtij tregu në të gjithë territorin e vendit, citon vrojtimi i BSH-së. Pyetësori për tregun e pasurive të paluajtshme u hodh në terren në muajin nëntor të vitit 2023.

 

Kampioni përmbante 230 shoqëri ndërtimi dhe agjentësh të tregtimit të pasurive të paluajtshme, të cilët përfaqësojnë rreth 75%-80% të popullatës së përgjithshme, sipas një përzgjedhjeje të bërë nga INSTAT-i, në bazë të numrit të të punësuarve dhe vlerës së xhiros vjetore.

 

Pyetësori është plotësuar nga 168 subjekte ose nga 73% e kampionit./Burimi: Oranews.tv


Më të lexuarat